Tirana - pjesë e iniciativës së Qyteteve Restauruese në Evropë

Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” (FZKPM), në partneritet me Bashkinë e Tiranës, janë bërë pjesë e iniciativës për përfshirjen e qytetit të Tiranës si qytet restaurues, duke iu bashkuar Grupit të Punës për Qytetet Restauruese, i koordinuar nga Forumi Evropian për Drejtësinë Restauruese (https://www.euforumrj.org/en). Grupi i Punës përbëhet nga organizata anëtare të Forumit të përfshira në nismën e Qyteteve Restauruese, nga qytetet Bristol (Mbretëria e Bashkuar), Como, Mentana, Palermo dhe Tempio Pausania (Itali), Leuven (Holandë), Wroclaw (Poloni) dhe Tirana (Shqipëri). Pjesë e grupit të punës janë dhe ekspertë të njohur të fushës së praktikave restauruese, ndërmjetësimit dhe menaxhimit të konflikteve.

Qëllimi i Grupit të Punës për Qytetet Restauruese është shkëmbimi i përvojave të ndryshme lokale, të cilat synojnë të krijojnë një ndryshim kulturor përmes rritje së kapaciteteve të qytetarëve në fushën e zgjidhjes së konflikteve dhe vendimmarrjes.

Ndërkohë që përmes përfshirjes së Tiranës si qytet restaurues synohet promovimi i bashkëpunimit midis institucioneve, organizave dhe qytetarëve për përdorimin e qasjeve resturuese në zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht për të miturit dhe të rinjtë në kontakt me ligjin. Si pjesë e aktiviteteve në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës përfshihen aktivitete informuese, sensibilizuese, trajnuese, etj, me përfshirjen e institucioneve të kujdesit social dhe të trajtimit të fëmijëve, grupeve rinore, shërbimin e ndërmjetësimit, institucionin e Shërbimit të Provës, sistemit të burgjeve, Universitetit të Tiranës, etj.

***

Qytetet Restauruese kanë si qëllim përhapjen e vlerave restauruese (gjithëpërfshirjen, pjesëmarrjen, respektin, përgjegjësinë, solidaritetin, kërkimin e së vërtetës, etj.) dhe zbatimin e praktikave restauruese në mjedise të ndryshme, ku mund të ndodhë konflikti ose situata konfliktuese, si në familje, shkolla, lagje, organizata sportive, vendin e punës, komunitetet, etj. Përdorimi i prakikave restauruese do të ndikojë në forcimin e marrëdhënieve, inkurajimin e qytetarisë aktive dhe konsiderimin e konflikteve si një mundësi për ndryshim.