Aktivizimi i Shoqërisë Civile në Modelimin e Praktikave Restauruese për Fëmijët dhe të Rinjtë në Kontakt me Ligjin

Gjatë periudhës 2018-2020, Misioni i Terre des hommes në Shqipëri zbatoi në partneritet me Terre des hommes Hungari dhe Fondacionin “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, projektin e financuar nga Bashkimi Evropian me fokus “Aktivizimi i Shoqërisë Civile në Modelimin e Praktikave Restauruese për Fëmijët dhe të rinjtë në kontakt me ligjin”.
Përmes zbatimit të projektit organizatat zbatuese kontribuan në respektimin e të drejtave të njeriut e veçanërisht të fëmijëve e të rinjve në konflikt me ligjin përmes zhvillimit dhe zbatimit të qasjeve restauruese dhe parandalimit të burgimit sipas Kodit të ri të Drejtësisë Penal për të Mitur në Shqipëri.
 
Në fokus të projektit ishte rritja e njohurive të aktorëve kryesorë mbi qasjet restauruese të Kodit të Drejtësisë Penale për të miturit, nëpërmjet koalicioneve dhe rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë civile, aktorëve kryesorë dhe përfituesve. Një tjetër komponent i projektit ishte fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile për të zhvilluar dhe zbatuar praktika dhe programe restauruese për të parandaluar burgimin. Kjo u realizua përmes skemës së granteve të vogla dhe krijimit të një rrjeti të organizatave të shoqërisë civile.

Projekti u shtri në rrethet kryesore, ku janë të ngritura dhe seksionet për të miturit pranë gjykatave dhe prokurorive të rretheve gjyqësore.