Projekti "Forcimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri"

Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve (FZKPM) po jep kontributin e tij si partner në projektin "Forcimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri". Programi, që u iniciua në janar 2019, po zbatohet nga Qendra CSSP për Ndërmjetësim Integrues me qendër në Gjermani dhe me zyrë në Tiranë, në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë, FZKPM-në dhe Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve, dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Projekti po zbatohet si një përpjekje për të mbështetur zhvillimin e ndërmjetësimit në Shqipëri në përgjithësi, dhe me fokus zbatimin e ligjit për ndërmjetësimin, të miratuar në vitin 2011 dhe të amenduar në vitin 2018. Projekti vjen në një kohë kur në Shqipëri hasen një sërë sfidash në fushën e ndërmjetësimit.

Më konkretisht, projekti po ofron ekspertizë në hartimin e akteve nënligjore të ligjit të ndërmjetësimit dhe hartimin e kurrikulës për trajnimin e ndërmjetësuesve, si trajnim fillestar ashtu dhe atë vazhdues, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe të kapaciteteve për aktorë të ndryshëm që kanë një rol në zhvillimin e ndërmjetësimit. Një komponent tjetër kryesor i projektit është dhe ngritja e dy qendrave të ndërmjetësimit në Tiranë dhe Durrës me një fokus të veçantë në krijimin e sistemeve funksionuese të referimit dhe ndërmjetësimit të rasteve në të dy rrethet, si dhe krijimin e një sistemi online monitorimi për rastet e menaxhuara me ndërmjetësim.